Klubi i njohur rus, Zenit St. Petersburg, rrezikon të përballet me masa disiplinore pas incidentit të ndodhur më 12 gusht, gjatë ndeshjes së Kupës së Rusisë kundër Rubin Kazan.
Gjatë këtij takimi, tifozët e Zenitit thuhet se kanë brohoritur me fyerje dhe shprehje të papranueshme ndaj sulmuesit të Rubinit, Mirlind Daku, përfaqësues i Kombëtares së Shqipërisë, transmeton AutoPortali.
Ndeshja, e cila u zhvillua në Shën Petersburg në kuadër të raundit të dytë të fazës së grupeve, përfundoi me fitoren bindëse të Zenitit, 3:0.
Gjatë saj, Dakut iu anulua një gol pas ndërhyrjes së sistemit VAR. Por ajo që e la më shumë shije të hidhur ishte sjellja e turpshme e një pjese të tifozëve vendas, të cilët sulmuan verbalisht lojtarin shqiptar.
Për këtë çështje ka reaguar edhe Artur Grigoryants, kryetar i Komitetit të Kontrollit dhe Disiplinës pranë Federatës së Futbollit të Rusisë (RFS).
Ai konfirmoi për mediat se është hapur një hetim zyrtar dhe se klubi i Zenitit do të merret në shqyrtim për shkak të sjelljes së papërshtatshme të tifozëve.
“Do të hetohet brohoritja masive me shprehje fyese nga tifozët e Zenitit drejtuar lojtarit të Rubinit, Mirlind Daku, në ndeshjen e Kupës,” deklaroi Grigoryants në një intervistë për gazetarin Vladislav Kruglov të Championat.
Sipas tij, çështja do të diskutohet në mbledhjen e radhës të komitetit, e cila është planifikuar të mbahet më 20 gusht.
Vendimi i këtij organi pritet të jetë vendimtar për sanksionet që mund t’i shqiptohen Zenitit, që variojnë nga gjoba deri te ndeshje pa praninë e tifozëve.
Ironikisht, Zeniti kishte shfaqur interes për transferimin e Mirlind Dakut gjatë afatit kalimtar veror, por tashmë marrëdhëniet mes palëve janë tensionuar për shkak të këtij incidenti.
Ky rast ka ngjallur reagime të shumta, veçanërisht në rrjetet sociale, ku mbështetësit e Dakut dhe tifozë të futbollit kanë dënuar ashpër sjelljen e tifozëve rusë, duke kërkuar ndëshkim të merituar për Zenitin dhe masa më të rrepta për parandalimin e gjesteve diskriminuese në futbollin rus.



