Shefi i ekipit të Ferrarit, Frederic Vasseur, siguron tifozët e këtij ekipi italian se Lewis Hamilton do të rikthehet në formën e tij të dikurshme.
Shtatë herë kampioni i botës këtë sezon në makinën e Ferrarit nuk po shënon rezultate të shkëlqyera.
“Nuk e di nëse e kemi nënvlerësuar rëndësinë e këtij ndryshimi. Ndoshta po, sepse ai kaloi 10 vite në McLaren, pastaj 12 në Mercedes. Ishte një lloj vazhdimësie. Dy ekipe me seli në Britaninë e Madhe, i njëjti motor, i njëjti ambient”, tha Vasseur.
“Kalimi në Ferrari është një ndryshim i madh për të, në jetë, në kulturën brenda ekipit, në gjithçka. Të arrish të përshtatesh me gjithçka brenda tre ditëve testuese gjatë dimrit është mjaft e vështirë, ndërkohë që pritshmëritë ishin jashtëzakonisht të mëdha”.
“Duhet ta vendosim gjithçka në vendin e vet, dhe kjo kërkon kohë. Gjithashtu duhet të menaxhojmë pritshmëritë dhe atmosferën që krijohet rreth ekipit. Detajet krijojnë përshtypjen e përgjithshme. Të gjitha këto janë gjëra shumë të vogla. Nëse nuk arrijmë t’i bashkojmë të gjitha, nga përgatitjet për fundjavë, puna në simulator… është shumë e lehtë të humbësh një të dhjetën e sekondës këtu, një tjetër atje. Dhe kjo bën një diferencë të madhe në rezultatet përfundimtare”.

“Detyra jonë është ta mbështesim kur gjërat nuk i shkojnë mirë, por edhe ta shtyjmë përpara kur has në vështirësi. Spa dhe Budapesti ishin të vështira për të, por ai mund të jetë i sigurt se ka mbështetjen e plotë të të gjithëve në Maranello për t’u rikthyer si ai Hamiltoni i vjetër. Jam i bindur që do ta arrijë. Duhet të ketë mbështetjen tonë çdo ditë, dhe unë do t’ia jap atë mbështetje çdo ditë”, u shpreh shefi i Ferrarit.
Fundjavën e ardhshme na pret një tjetër garë në kalendarin e Formula 1, kur karvani do të zhvendoset në Baku, ku do të shohim garën për fitoren në pistën rrugore të Azerbajxhanit.



