Holanda kalon në çerekfinale me fitore bindëse ndaj Rumanisë
H

Holanda kalon në çerekfinale me fitore bindëse ndaj Rumanisë

Holanda është kualifikuar në çerekfinale të EURO 2024, pas fitores ndaj Rumanisë me rezultat 3:0.

“Tulipanët” kaluan në epërsi në minutën e 20-të me golin e bukur të shënuar nga Cody Gakpo, që u asistua nga Xavi Simons.

Vetëm gjashtë minuta më vonë, Stefan de Vrij pati rast të realizonte për 2-0, por gjuajtja e tij shkoi afër shtyllës së djathtë.

Simons (44’) nuk arriti ta konkretizonte me gol një pasim brilant të Denzel Dumfries, duke bërë që pjesa e parë të përfundonte me vetëm një gol.

Edhe 45 minutat e dytë ishin të dominuar plotësisht nga Holanda, kur realizuan edhe dy gola të tjerë.

Memphis Depay tentoi të realizonte nga afër në minutën e 54-t, mirëpo goditja e tij u bllokua nga mbrojtja kundërshtare.

Virgil Van Dijk (58’) gjuajti me kokë, por ylli i Liverpoolit goditi vetëm shtyllën vertikale të Rumanisë.

Gakpo mendoi se e kishte shënuar golin e tij të dytë në minutën e 63-të, por që VAR-i e anuloi për pozicion jashtë loje.

Për ta shënuar golin e dytë të Holandës u përkujdes Donyell Malen (83′), që realizoi për 2-0 nga një asistim i Gakpos.

Malen realizoi edhe të dytin personal dhe të tretin për Tulipanët, kur shënoi për 3-0 në minutën e 90+3-të.

Në çerekfinale, Holanda do të përballet me fituesin e duelit mes Turqisë dhe Austrisë që fillon nga ora 21:00.

TË FUNDIT