Kosova do të zhvillojë sonte ndeshjen e saj të radhës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, ku përballë do të ketë përfaqësuesen e Suedisë.
Takimi, që nis në ora 20:45, zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe pritet të jetë një test i rëndësishëm për “Dardanët”, të cilët synojnë rikthimin te rezultatet pozitive pas humbjes së thellë 4:0 ndaj Zvicrës.
Për këtë përballje të rëndësishme është caktuar një trup gjykues nga Holanda, me gjyqtarin kryesor Allard Lindhout.
Ekipi gjyqësor i ndeshjes:
Gjyqtar kryesor: Allard Lindhout (Holandë)
Asistentë: Rogier Honig dhe Johan Balder
Gjyqtar i katërt: Joey Kooij
VAR: Clay Ruperti
Asistent VAR: Jeroen Manschot
Ndërkohë, Patrick Duffy nga Irlanda është emëruar si delegat i UEFA-s për këtë ndeshje, ndërsa Stavros Tritsonis nga Greqia do të shërbejë si vëzhgues i gjyqtarëve.
Stadiumi pritet të jetë i mbushur në kapacitet të plotë, pasi të gjitha biletat janë shitur, dhe përkrahja e tifozëve “Dardanë” pritet të jetë një faktor shtesë për ekipin e trajnerit Franco Foda, që synon të rikthehet në rrugën e fitoreve.



