Marash Kumbulla ka pësuar një dëmtim muskulor gjatë ndeshjes që Mallorca e mbylli me barazim 1-1 ndaj Atletico Madridit, të shtunën.
Mbrojtësi shqiptar u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 36-të të takimit, dhe analizat mjekësore kanë konfirmuar se bëhet fjalë për një dëmtim në kofshë, i cili do ta mbajë larg fushave për rreth një muaj.
Dëmtimi vjen në një moment vendimtar për Kombëtaren shqiptare, pasi Kumbulla do të mungojë në ndeshjen shumë të rëndësishme kualifikuese për Kupën e Botës 2026, ndaj Serbisë, që do të luhet më 11 tetor në transfertë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe vetë lojtari përmes një postimi në rrjetet sociale, ku falënderon të gjithë për mbështetjen dhe jep sinjale pozitive për rikthimin e shpejtë.
“Faleminderit të gjithëve për mbështetjen! Shihemi së shpejti! Forca Mallorca”, shkroi Kumbulla në InstaStory.
Ky është një tjetër lajm i keq për trajnerin Sylvinho, i cili tashmë duhet të mendojë për zëvendësimin e një prej liderëve të prapavijës për sfidën vendimtare në Beograd.



