Hyundai po përgatitet të zgjerojë gamën e saj elektrike me modelin e ri Ioniq 2, një hatchback i përballueshëm që synon të konkurrojë direkt me Renault 4, Volkswagen ID 2X dhe Skoda Epiq. I pozicionuar mes Inster dhe Kona Electric, Ioniq 2 do të debutojë në Panairin e Automjeteve në Mynih muajin e ardhshëm dhe pritet të dalë në shitje në tremujorin e tretë të 2026.
Modeli i ri, i ndërtuar mbi platformën E-GMP, do të ofrohet me një kabinë të teknologjizuar dhe dizajn modern të frymëzuar nga Ioniq 6. Me shumë gjasë, do të pajiset me një bateri prej 58.3kWh ose 81.4kWh, që siguron autonomi deri në 600 km, dhe një motor elektrik me 201 kuaj fuqi, shkruan AutoCar, transmeton AutoPortali.
Ioniq 2 shihet si një hap strategjik i Hyundai për të forcuar praninë në tregun evropian, ku në gjysmën e parë të 2025-ës ka shitur mbi 265 mijë njësi, duke iu afruar ndjeshëm vëllait të saj Kia. Çmimi i pritur për modelin e ri është rreth 25,000 £, duke e bërë atë një opsion tërheqës për blerësit që kërkojnë një automjet elektrik praktik dhe ekonomik.



