Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot me Medalje të Nderit presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), Gianni Infantino, në një ceremoni solemne të mbajtur në Prishtinë.
Kreu i FIFA-s, me origjinë italiane, u nderua për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe përfshirjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare të futbollit.
Në fjalimin e tij pas marrjes së medaljes, Infantino u shpreh i lumtur nga pritja dhe nderimi që iu bë në Kosovë.
“Është nder i madh, kënaqësi dhe emocion i jashtëzakonshëm të jem këtu, në shtëpinë time – në Kosovë. Ta pranoj këtë medalje nga presidentja e Republikës, mikesha ime, në emër të një vendi të mrekullueshëm si Kosova, është një moment i paharrueshëm për mua,” u shpreh Infantino.
Ai vlerësoi rolin që luan futbolli në bashkimin e popujve, në ndërtimin e shpresës dhe ëndrrave të rinisë, duke theksuar:
“Futbolli i bashkon njerëzit, i bashkon vendet dhe i jep të rinjve arsye për të ëndërruar për një të ardhme më të mirë.”
Infantino gjithashtu bëri një dedikim emocional për Fadil Vokrrin, presidentin historik të Federatës së Futbollit të Kosovës, duke e cilësuar si figurë kyçe në udhëtimin e Kosovës drejt pranimit në FIFA:
“Do të doja t’ia dedikoj këtë medalje Fadil Vokrrit dhe gjithë popullit të Kosovës – brenda dhe jashtë vendit.”
Kreu i FIFA-s e përshkroi Prishtinën si “kryeqytetin e futbollit botëror për sot”, duke shtuar me humor se, meqë futbolli është gjëja më e rëndësishme në botë, atëherë “sot Prishtina është kryeqyteti i botës.” /AutoPortali



