Pas disa përditësimeve mekanike në vitet e fundit, Jeep më në fund po i jep Grand Wagoneer-it një përmirësim të theksuar vizual. Fotot e para zyrtare të modelit Grand Wagoneer 2026 zbulojnë një pjesë të përparme të ridizajnuar, e cila sjell një frymë më moderne në SUV-in e madh luksoz të markës amerikane.
Elementi më dallues është dizajni i ri i fenerëve, tashmë më të hollë dhe më elegant, që i japin fytyrës së automjetit një pamje më të sofistikuar dhe bashkëkohore. Po ashtu, grila ikonike me shtatë vrima – shenjë dalluese e çdo Jeep-i – është interpretuar në një mënyrë më futuriste, duke marrë inspirim nga SUV-i elektrik Wagoneer S, shkruan Car and Driver, transmeton AutoPortali.
Ndërsa Grand Wagoneer është i pari që merr këtë rifreskim, pritet që shumë shpejt edhe versioni më i lirë Wagoneer të përfitojë përditësime të ngjashme. Versioni me bosht të gjatë, Grand Wagoneer L, gjithashtu do të përfshihet në këtë rinovim.
Brenda kabinës, ndryshimet pritet të përfshijnë ekrane të përditësuara, teknologji të reja infotainment-i dhe opsione të reja zbukurimi, duke rritur më tej përvojën luksoze për të cilën ky model njihet.
Megjithëse pamja po ndryshon, motorët mbeten të njëjtë: një gjashtëcilindër 3.0 litërsh me dy turbo, me 540 kuaj fuqi për Grand Wagoneer dhe 420 kuaj fuqi për Wagoneer-in standard. Ky motor ka zëvendësuar më parë motorët më të mëdhenj V8 dhe është vlerësuar për balancën midis performancës dhe efikasitetit.
Jeep konfirmon se dizajni i ri i Grand Wagoneer do të ndikojë edhe në modelet e tjera të linjës, si Grand Cherokee dhe Cherokee, ky i fundit që pritet të rikthehet në treg më vonë këtë vit pas një pauze të shkurtër.
Më shumë detaje rreth Grand Wagoneer 2026 pritet të zbulohen këtë vjeshtë, ndërsa SUV-i pritet të mbërrijë në sallonet e ekspozitave përpara fundit të vitit.



