Valdet Kaçandolli e kurorëzoi mundin, sakrificën dhe suksesin e arritur në Kampionatin Evropian FIA EHCC, në të cilin u rendit i treti në Grupin 3 dhe i shtati në plasmanin e përgjithshëm.
Kaçandolli të dielën ishte i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, e cila u mbajt në Arriondas të Spanjës.
“Kënaqësi dhe nder i veçantë të jem sonte pjesë e ceremonisë së më të mirëve të Kampionatit Evropian FIA EHCC, në Arriondas, ku u nderova me çmimin Vendi i 7-të në renditjen e përgjithshme (Overall) dhe vendi i 3-të në grupin tim”, ka thënë Valdeti pas përfundimit të ceremonisë.
“Pas gjithë sakrificave, përkushtimit dhe viteve të tëra në këtë karrierë, është ndjenjë e veçantë të renditesh ndër garuesit më të mirë të Evropës”, ka shtuar Kaçandolli.

Ai është shprehur i lumtur për suksesin dhe faktin që e ka përfaqësuar Kosovën.
“Krenar për çdo hap të këtij rrugëtimi dhe mbi të gjitha krenar që përfaqësoj flamurin dhe vendin tim në arenën ndërkombëtare të motorsportit”, ka thënë në fund Kaçandolli.



