Për pesë vjet përshkoi 112.000 kilometra dhe ndërroi vajin vetëm dy herë
P

Për pesë vjet përshkoi 112.000 kilometra dhe ndërroi vajin vetëm dy herë

Pronari i një Lincoln Aviator të vitit 2021 kishte ndërruar vajin vetëm dy herë gjatë pesë vjetëve dhe 112.000 kilometrave të përshkuara. Kur mekaniku çmontoi motorin, zbuloi dëme të jashtëzakonshme nga mungesa e mirëmbajtjes.

Bëhet fjalë për motorin Ford 3.0 EcoBoost V6 me dy turbo, të cilin e analizoi mekaniku Erik Berg nga kanali “I Do Cars”.

Pas hapjes së motorit, u zbulua një shtresë e trashë e llumit të zi të vajit, ndërsa pjesë të ndryshme ishin mbuluar me grimca metali.

“Kam parë motorë me 400.000 apo afro 500.000 kilometra që duken shumë më mirë se ky”, deklaroi Berg.

Kontrolli zbuloi se kushineta e cilindrit të gjashtë ishte dëmtuar rëndë për shkak të mbinxehjes dhe mungesës së lubrifikimit.

Megjithatë, blloku i motorit nuk kishte pësuar dëmtime fatale dhe mund të riparohej pas një ndërhyrjeje serioze.

Mekaniku theksoi se është pothuajse e pabesueshme që motori kishte arritur të përshkonte 112.000 kilometra në këto kushte.

Ky rast dëshmon edhe një herë rëndësinë e ndërrimit të rregullt të vajit. Te motorët modernë me turbo, vaji jo vetëm që zvogëlon fërkimin, por edhe ftoh dhe pastron pjesët e motorit.

Neglizhimi i servisit mund të kushtojë mijëra euro, ndërsa ndërrimi me kohë i vajit mbetet një nga investimet më të lira për jetëgjatësinë e veturës.

TË FUNDIT