Liridon Kalenderi edhe sivjet garat i nis me ambicie shumë serioze. Mitsubishi Evo 9 Monster i tij, pritet të “fluturojë” në shtigjet më prestigjioze evropiane, por pa e harruar edhe pjesëmarrjen në garat në Kosovë.
“Kishim planifikuar që bashkë me ‘Zhuqën’ (Përparim Dushi) dhe Valdetin (Kaqandolli) të marrim pjesë në garën në Austri, por unë dhe ‘Zhuqa’ e kemi anuluar pjesëmarrjen, për shkak se nuk e kam veturën krejtësisht të gatshme. Është një projekt i ri, pasi ka ndryshuar shumëçka në shasi dhe motor. Po planifikojmë që sivjet vetura t’i ketë rreth 1300 kuaj fuqi”, ka thënë Kalenderi për faqen zyrtare të FASK-ut.
Sidoqoftë ai beson që shumë shpejt të jetë gati për të nisur sfidat evropiane.
“Pasi e anuluam pjesëmarrjen në Austri, plani është të garojmë në Çeki, Gjermani, Zvicër dhe Ilirska Bistrica në Slloveni. Ky është plani fillestar për Kampionatin Evropian, por nëse në këto gara arrij rezultate të mira, pozita të para ose të dyta, ndoshta do ta shqyrtoj mundësinë t’i ‘ndjek’ të gjitha garat”, ka shtuar Liri.

Sa i përket rrafshit vendor, ai synon të paraqitet në dy-tri gara.
“Varësisht nga koha që do ta kem në dispozicion nuk do t’i anashkaloj as garat vendore. Besoj që do të paraqitem në Brezovicë, Kullë dhe Krujë”.
Liri ka bërë të ditur se është në listën e pritjes që vetura e tij të ketë intervenim edhe në pjesën e aerodinamikës, intervenim që do të bëhet në Suzuka të Japonisë.



