Më 20 e 21 korrik, në parkingun e Prishtina Mall, do të mbahet gara në drift, disiplinë shumë atraktive në auto sport.
Federata e Auto Sportit e Kosovës (FASK) e ka caktuar Fidan Kalluadrën për koordinator të garave në këtë disiplinë.
Fidani është duke punuar shumë që gjithçka të shkojë në mënyrën më të mirë.
Për faqen zyrtare të FASK-ut, ai është shprehur i bindur se gara do të jetë spektakolare.
“Jam shumë i kënaqur që sivjet do të organizohet edhe gara në disiplinën drift. Nuk ka fije dyshimi, më 20 e 21 korrik, spektakli është i garantuar. Jam duke komunikuar vazhdimisht me shumë drifterë nga vende të ndryshme. Në bashkëpunim edhe me kryetarin Ismet Rexhepi dhe FASK-un në përgjithësi, besoj se do të organizojmë një garë fantastike”, ka thënë Kalludra.
Ai ka paralajmëruar pjesëmarrje masive të garuesve nga Kosova, Shqipëria dhe vende të ndryshme evropiane.

“Numri i pjesëmarrësve do të jetë i madh, e po ashtu edhe i shikuesve. Përveç garuesve nga Kosova e Shqipëria, qysh tash e ka konfirmuar pjesëmarrjen një drifter zviceran, e po ashtu shpresoj të vijnë edhe garues nga vende tjera”, ka shtuar Kalludra, i cili më parë ka qenë kampion i Kosovës në drift.
Ai është shprehur i bindur që përveç garës, do të ketë edhe atmosferë të shkëlqyeshme.



