Piloti i Toyota-s, Takamoto Katsuta, ka falënderuar rivalët e tij Thierry Neuville dhe Martijn Wydaeghe për ndihmën pas aksidentit të rëndë në Rally Paraguay.
Katsuta dhe bashkëpiloti Aaron Johnston patën një përplasje të fortë gjatë një prej etapave, pasi Toyota GR Yaris Rally1 doli nga kontrolli, u rrotullua dhe goditi një shtyllë elektrike. Për shkak të aksidentit, etapa 21 u anulua.
“Ky ishte aksidenti më i madh i karrierës sime. Nuk mund të dilja nga makina dhe ishte shumë e dhimbshme”, tha Katsuta, duke shtuar se siguria e makinës dhe rregulloret e WRC-së funksionuan siç duhet.
Ai veçanërisht falënderoi Neuville dhe Wydaeghe, të cilët mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe qëndruan pranë tij deri në ardhjen e ekipit të shpëtimit.
“E vlerësoj shumë ndihmën tuaj. Nuk do ta harroj kurrë këtë”, u shpreh Katsuta.
Pas këtij incidenti, piloti japonez ka zbritur në vendin e katërt në renditjen e kampionatit dhe tani po përgatitet për Rally Chile, ku synon të rikthehet më i fortë.



