Kimi Antonelli në “minutat më të gjatë” të jetës së tij
K

Kimi Antonelli në “minutat më të gjatë” të jetës së tij

Duket se Mercedes do të zgjidhë këtë fundjavë enigmën se cili do të jetë piloti që do të zëvendësojë Lewis Hamilton në sezonin e ri.

Në pistën e Monzas, ku të dielën do të zhvillohet gara e radhës në Formula 1, do të hipë në makinën gjermane piloti i ri italian Kimi Antonelli.

Talenti që garon në Formula 2 me Prema, dy ditë më parë festoi 18-vjetorin e tij dhe këtë të premte do të testojë në provat e lira makinën Mercedes të George Russell.

“Marrja për herë të parë pjesë në provat e lira të një gare të Formula 1 do të jetë diçka vërtet e veçantë. Jam shumë i lumtur që drejtoj W15 dhe që do të ndaj pistën me të gjithë ata shoferë të jashtëzakonshëm. Mezi po pres!”, tha Kimi Antonelli.

Aktualisht, ai është në vendin e shtatë në kampionatin e Formula 2, me një sukses të arritur në Silverstone.

“Të bëj debutimin tim në Formula 1 para tifozëve të mi është një çmenduri. Mezi pres të mësoj shumë, por edhe të kontribuoj për të ndihmuar ekipin për fundjavën”, tha italiani.

Antonelli e ka testuar tashmë W13, makinën e vitit 2022, në Imola, por ky do të jetë testi i tij i parë në një fundjavë garash. Ai mund të ketë një shans tjetër këtë sezon, këtë herë duke ngarë makinën e Hamilton në provat e lira ose në Meksikë ose në Abu Dhabi.

TË FUNDIT