Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka dalë me një sqarim pas akuzave nga Federata e Notit e Kosovës (FNK) lidhur me përzgjedhjen e notarëve që do të jenë në ekipin olimpik të Kosovë në Lojërat Olimpik të Kosovës.
Në ekip gjendet notari Adel Sabovic, derisa në FNK thonë se aty duhet të jetë Mal Gashi.
Më poshtë, sqarimi pa ndërhyrje i KOK-ut:
𝐒𝐐𝐀𝐑𝐈𝐌!
Të nderuar,
Komiteti Olimpik i Kosovës me shqetësim të madh ka ndjekur akuzat trilluese nga Federata e Notit e Kosovës në lidhje me përbërjen e listës së ekipit olimpik të Kosovës që do të përfaqësojë vendin tonë në Lojërat Olimpike Paris 2024.
Në vend se të kërkojmë fajtorin përse nuk kemi ndonjë normë olimpike e nuk jemi as afër saj në sportin e notit, FNK hedh lumë akuzash në drejtim të KOK-ut, për përfaqësimin e sportistit me më së shumti pikë FINA në konkurrencën e meshkujve, Adel Shaboviq, i cili bashkë me Hana Beiqi, përfaqësojnë notin e Kosovës me ftesë të univerzalitetit në LO Paris 2024.
KOK dëshiron të sqarojë të gjitha mediat dhe opinionin, se akuzat për përfshirjen në listë të Adellit janë krejtësisht të pabaza dhe tendencioze, përmes të cilave drejtuesit e FNK-së dëshirojnë të hedhin ‘gishtin’ tek KOK-u për të dalë mirë para hisedarëve të saj.
Sportisti Adell Shaboviq është paraqitur në listën e Federatës Botërore të Sporteve të Ujit (World Aquatics) në renditjen e sportistëve të Kosovës në qershor të vitit 2024, gjë për të cilën edhe KOK ka kërkuar sqarim nga World Aquatics, e ku si përgjigje nga kjo e fundit ka pranuar letrën nga kryetari i FNK-së, Agron Zeqiri (e gjeni të bashkangjitur). Në këtë shkresë të nënshkruar dhe të vulosur nga Zeqiri dhe FNK të datës 23 dhjetor 2023, theksohet që Adell Shaboviq është anëtar i Federatës së Notit të Kosovës me të drejta të plota të përfaqësimit në gara vendore dhe ndërkombëtare nga data 1 janar 2024, duke i konfirmuar gjithashtu disa ditë më vonë, përmes një tjetër komunikimi, se ai do të garojë për FNK bazuar në pikët FINA që do të ketë garuesi. Paraprakisht, sportisti ishte pajisur edhe me pasaportën e Republikës së Kosovës.
KOK, më 25 qershor 2024, dy ditë pas përfundimit të procesit kualifikues, ka pranuar letrën e World Aquatics, me listën e emrave të garuesve të Kosovës me më së shumti pikë FINA, që dalin të jenë Adel Shaboviq dhe Hana Beiqi. Pra, KOK nuk ka bërë përzgjedhjen e tyre, dhe roli ynë ka qenë t’i pranojmë ose jo këta emra, pa pasur mundësinë e as arsyen për ndryshime, andaj adresa e vetme për ankesë të FNK-së në lidhje me këta emra ka qenë World Aquatics dhe jo shpifjet ndaj KOK-ut.
Po ashtu, etiketimet e ndryshme dhe ofendimet në baza etnike, si dhe duke e quajtur edhe skandal përfaqësimin e vendit tonë nga ai dhe cenim direkt i interesave shtetërore të Kosovës, duke e shtyrë publikun të përdorë gjuhë të urrejtjes ndaj notarit 21-vjeçar, Adel Shaboviq, i cili ka prejardhje shqiptare (mbiemri i mëparshëm: Shabaj) nga Vitomirica e Pejës, ku edhe i jetojnë familjarë të tij, janë deklarime që më së paku i takojnë një federate, e të cilat nuk do të duhej të kalonin në heshtje!
Për fund, është po ashtu shqetësuese gjuha kërcënuese e komunikimit mes FNK dhe World Aquatics, ku kjo e fundit përmes një letre të siguruar nga KOK-u, sinjalizon kryetarin e FNK-së, Agron Zeqiri, i cili pretendon të jap informata të rrejshme në raport me World Aquatics dhe personat në krye të saj, kinse kanë bërë shkelje ligjore dhe joetike, si dhe kanë bërë veprime kriminale në raport me ftesën e dërguar për universalitet për sportistin Adell Saboviq.
Këto veprime, dhe ato që u thanë më lart, e të cilat përmenden në letrën e FNK-së dërguar WA, janë të ndaluara me çdo rregull të sportit vendor dhe ndërkombëtar. Me këtë letër, World Aquatics, ka njoftuar kryetarin e FNK, Agron Zeqiri se ky raport do të dërgohet tek “Aquatics Integrity Unit”, e të cilët më tutje do të marrin vendimin karshi kryetarit të FNK-së.
KOK është i hapur për çdo sqarim të mëtutjeshëm në lidhje me çështjen në fjalë, derisa të bashkëngjitur do të mund të gjeni të gjitha ato që u thanë më lart!



