Konkurrencë e madhe për të zëvendësuar Hamiltonin te Mercedes
K

Konkurrencë e madhe për të zëvendësuar Hamiltonin te Mercedes

Largimi i kampionit të shtatëfishtë të botës në Formula 1, britanikut Lewis Hamilton nga Mercedes te Ferrari do të  krijojë një boshllëk te makina gjermane.

Ende nuk është vendosur se cili do të jetë zëvendësuesi i tij te “shigjetat e argjendta”, ndërkohë që kandidatët e përfolur janë të shumtë.

I sigurt është britaniku tjetër, George Russell, që në dy garat e para sezonale është renditur më mirë se Hamilton. Duke folur për kanalin zyrtar të Formula 1, Russell zbuloi se shumë nga kolegët e tij janë të interesuar për të zënë vendin e lënë bosh nga Hamilton.

Shumica janë mesazhe në telefon që kanë ardhur si tek ai ashtu dhe te drejtori sportiv Toto Wolff.

“Do të jenë disa muaj interesantë për të parë se çfarë do të ndodhë. Për sa më përket mua, për dy vitet e fundit kam qenë bashkëlojtar me ndoshta pilotin më të madh të të gjitha kohërave”, tha Russell.

“Personalisht nuk kam asnjë shqetësim se kush do të më mbështesë te Mercedes vitin tjetër. Dua të sfidoj më të mirët dhe mendoj se kjo është ajo që ka ndodhur në dy vitet e fundit. Mendoj se për çdo ekip është e rëndësishme që të ketë harmoni të mirë mes drejtuesve sepse kjo reflektohet për të gjithë ekipin”, tha britaniku.

“Vendimi i takon Toto dhe Bordit të Drejtorëve. Ne kemi pasur shumë biseda, kështu që të shihja emrat e disa kolegëve që shfaqeshin në telefonin e tij ishte mjaft argëtuese. Edhe unë kam marrë edhe disa telefonata dhe mesazhe nga pilotët për të ardhur në vendin e Hamilton”, u shpreh George Russell.

TË FUNDIT