Përfaqësuesja e Kosovës ka shënuar fitore me rezultat 1:0 në miqësoren ndaj Armenisë e cila u zhvillua në Yerevan, dhe ishte e para për përzgjedhësin gjerman Franco Foda në krye të ‘Dardanëve’.
Kosova pati iniciativën në pjesën e parë, duke organizuar disa aksione të mira dhe në fund ato përpjekje u shpërblyen me gol.
Milot Rashica (25’) shënoi për 1:0 pasi fillimisht Edon Zhegrova qëlloi tërthorësen dhe nga topi i kthyer Rashica e çoi topin në rrjetë.
Kosova shfaqi dominimin e plotë edhe në pjesëm e dytë të ndeshjes, duke rrezikuar në disa raste seriozisht portën e Armenisë, por duke mos arritur të gjejnë golin.
Leart Paqarada (52’) bëri një krosim të mrekullueshëm në zonë për Vedat Muriqin i cili nga afërsia nuk arriti të shënojë me kokë.
Vetëm tre minuta më vonë lojtari vendas Hovhannisyan (55’) e largoi topin nga vija e portës duke evituar autogolin dhe golin e dytë të Kosovës.

Mundësia më e mirë për gol në këtë ndeshje i takoi Rashicës, i cili në minutën e 66-të kur nuk u tregua i saktë ballë për ballë me portierin.
Deri në përfundim të ndeshjes Kosova e menaxhoi mirë epërsinë e krijuar në pjesën e parë duke marrë fitoren e parë nën drejtimin e Franco Fodas.
Kosova ditën e martë, luan miqësoren tjetër me Hungarinë.



