Kosova ka shënuar fitore të thellë me rezultat 4-0 në udhëtim tek Qipro, ndeshje kjo e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Një reagim i tillë pritej nga ‘Dardanët’ pas asaj humbjeje të dhimbshme që pësuan në ‘Fadil Vokrri’ me rezultat 0-3 nga Rumania.
Kosova kaloi në epërsi në minutën e 8-të me anë të Vedat Muriqit i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë për 1-0.
Po i njëjti lojtar doli sërish në skenë në minutën e 20-të, kësaj radhe duke shënuar me kokë pas asistimit të Donat Rrudhanit.
Të besuarit e Franco Fodës nuk u ndalën as në pjesën e dytë duke arritur të tundin rrjetën edhe në dy raste të tjera.

I inkuadruari në pjesën e dytë, Albion Rrahmani arriti të shënojë për 3-0 në minutën e 48-të pas një asistimi të Milot Rashicës.
Goditjen përfundimtare qipriotëve ua dha Lumbardh Dellova, i cili realizoi gol të bukur për 4-0 në minutën e 55-të.



