Kosova sonte përballet me Suedinë
K

Kosova sonte përballet me Suedinë

Sonte e gjithë Kosova ka sytë kah Gotenburgu, ku Kombëtarja jonë zhvillon njërën ndër ndeshjet më të rëndësishme në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.

“Dardanët” do të përballen me Suedinë, në një përballje që pritet të jetë mjaft interesante dhe sfiduese. Pas fitores historike në takimin e kaluar në Prishtinë, ku Kosova triumfoi me rezultat 2-0, skuadra jonë shpreson ta përsërisë suksesin, këtë herë në tokën suedeze.

Megjithatë, përzgjedhësi Franco Foda do të ketë në dispozicion një skuadër të cunguar.

Një ndër mungesat më të mëdha për këtë sfidë do të jetë ajo e mesfushorit Elvis Rexhbeçaj, i cili vijon të jetë jashtë fushave për shkak të një lëndimi

Ai mungoi edhe në ndeshjen ndaj Sllovenisë dhe nuk ka arritur të rikuperohet me kohë.

Në anën tjetër, një lajm pozitiv për kampin kosovar është rikthimi i Lindon Emërllahut, i cili ka përfunduar pezullimin dhe është i gatshëm për këtë përballje.

Prezenca e tij pritet të sjellë më shumë balancë dhe stabilitet në mesfushë.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Ullevi” të Gotenburgut, me fillim nga ora 20:45, dhe do të jetë një test serioz për ambiciet e Kosovës për të synuar vendin e dytë në grup.

Tifozët janë entuziastë dhe shpresojnë që Kombëtarja të dalë me rezultat pozitiv, duke e mbajtur gjallë ëndrrën për kualifikim në Botëror./AutoPortali

TË FUNDIT