Xhudoja kosovare po vazhdon të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare.
Xhudistët e rinj e kanë dominuar Kampionatin Ballkanik U-21, duke i fituar katër medalje të arta dhe një të bronztë, për ta bërë Kosovën mbretëreshë të kësaj gare.
Estea Arifaj, Enise Zijade, Andi Reshitaj e Muhamedin Veseli u “veshën” me ar, kurse Sidorela Dodaj ishte e bronztë.
Trajneri Driton Kuka ndihet krenar me garuesit kosovarë, duke siguruar se e ardhmja e xhudos është në duar të sigurta.

“Gjenerata po vjen dhe sot luftuan mirë dhe patën performancë premtuese! Kosova më e pasur për 4 Kampionë”, shkroi trajneri i suksesshëm kosovar në rrjetet sociale.
Ai ndërkohë u ankua për neglizhencë të përgjithshme ndaj këtij suksesi të Kosovës.



