Kryeziu i Ballkanit “Ylli i Javës” në SuperLigën e Kosovës
K

Kryeziu i Ballkanit “Ylli i Javës” në SuperLigën e Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), ka vazhduar ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i jepet futbollistit më të spikatur të javës në elitën e futbollit kosovar.

Për javën e nëntëmbëdhjetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë për herë të dytë futbollistit të FC Ballkanit, Almir Kryeziu.

Mesfushori u dallua me një paraqitje shumë të mirë individuale për skuadrën e tij, duke luajtur 88 minuta dhe duke dhënë kontribut vendimtar në fitoren ndaj Gjilanit.

Kryeziu realizoi një gol dhe asistoi në golin e dytë, duke i siguruar Ballkanit fitoren me rezultat 1:2 në transfertë.

Vlerësimi për “Yllin e Javës” është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i cili mori parasysh ndikimin dhe performancën e lojtarit në këtë xhiro të Superligës.

Pas marrjes së çmimit, Almir Kryeziu u shpreh i kënaqur për vlerësimin dhe theksoi rëndësinë e punës kolektive brenda skuadrës.

Ai deklaroi se FC Ballkani ka kaluar një fazë përgatitore shumë të mirë dhe se ekipi kishte kohë të mjaftueshme për ta analizuar kundërshtarin.

“Kemi pasur një përgatitje shumë të mirë dhe e kemi analizuar Gjilanin në detaje. Ekipi ka qenë i fortë edhe sezonin e kaluar, ndërsa transferet e reja kanë rritur konkurrencën dhe kualitetin. Synimi ynë është i qartë, titulli i kampionit, dhe jemi në rrugën e duhur për ta arritur. Po ashtu, jemi në garë edhe për Kupën e Kosovës dhe do të luftojmë në të dyja frontet,” u shpreh Kryeziu.

Në fund, futbollisti i Ballkanit falënderoi Federatën e Futbollit të Kosovës për vlerësimin, si dhe bashkëlojtarët dhe stafin teknik, duke theksuar se pa mbështetjen e tyre një paraqitje e tillë nuk do të ishte e mundur. /AutoPortali

TË FUNDIT