Marc Marquez nuk do të mund ta festojë titullin e tij të shtatë në MotoGP para tifozëve të tij në Valencia. Nga Madridi kanë mbërritur lajme se spanjolli e ka përfunduar sezonin dhe nuk do të garojë më këtë vit për Ducati-n.
Marquez, i cili e siguroi matematikisht titullin në Japoni, pësoi një dëmtim në shpatull gjatë garës në Indonezi tre javë më parë. Fillimisht u mendua se do të shërohej me trajtim konservativ, por mjekët nuk ishin të kënaqur me ecurinë e rikuperimit dhe ai iu nënshtrua një operacioni, të tetin në gjashtë vitet e fundit.
Pas ndërhyrjes u konfirmua se ai do të humbte garat në Australi, Malajzi dhe Portugali, ndërsa tani është zyrtare që nuk do të marrë pjesë as në garën e fundit të sezonit në Valencia më 16 nëntor. Marquez do të mungojë gjithashtu në testet zyrtare në pistën “Ricardo Tormo” më 18 nëntor dhe do të rikthehet vetëm vitin e ardhshëm.

“Kjo nuk duhet të na bëjë të harrojmë atë që kemi arritur këtë vit, jemi sërish kampionë bote dhe shumë shpejt do ta festojmë bashkë. Faleminderit tifozëve, Ducatit dhe sponsorëve për mbështetjen dhe mirëkuptimin”, tha Marquez.
Ducati do të njoftojë së shpejti kush do ta zëvendësojë spanjollin për dy garat e fundit të sezonit. Në Australi, Marquezin e zëvendësoi test-piloti Michele Pirro, i cili do të garojë edhe këtë fundjavë në Malajzi, ndërsa për garën e Portugalisë përmendet si kandidat ylli i Superbike, Nicolo Bulega, por vendimi ende nuk është marrë.



