Kampioni i ri i klasës mbretërore, Marc Marquez, iu nënshtrua një operacioni në shpatullën e djathtë vetëm një javë pasi theu klavikulën (kockën e kyçit të supit) gjatë Çmimit të Madh të Indonezisë.
Piloti i Ducatit e pësoi në fillim të garës, kur u godit dhe doli nga pista nga Marco Bezzecchi, i cili hyri shumë agresivisht në një manovër parakalimi.
Fatmirësisht për Marquez-in, ai kishte siguruar titullin e tij të nëntë botëror një javë më herët në Japoni, të parin pas gjashtë vitesh, periudhë gjatë së cilës kishte munguar në 30 gara, kryesisht për shkak të lëndimeve në krah, dhe kishte pësuar mbi 100 rrëzime.
Menjëherë pas aksidentit u konfirmua se Marquez kishte thyer klavikulën, dhe pas kthimit në Madrid, mjekët fillimisht vendosën për një trajtim konservativ, që përfshinte pushim dhe imobilizim. Megjithatë, të hënën u krye operacioni, pasi kontrollet treguan se kocka dhe ligamentet nuk po shëroheshin siç pritej.

Operacioni u përqendrua në ligamentet akromioklavikulare dhe gjithashtu u bë stabilizimi i klavikulës.
Ducati bëri të ditur se Marquez tashmë është në shtëpi dhe po rikuperohet, ndërsa kthimi i tij në garë varet nga ritmi i shërimit.



