Lancia ka konfirmuar rikthimin e saj në Botërorin e Rallyt duke debutuar në kategorinë Rally2 me Ypsilon HF Integrale Rally2 në vitin 2026. Prodhuesi italian zgjodhi Rally2 sepse kërkon kosto më të ulët zhvillimi, mundëson shitjen e makinave te ekipet private dhe garanton kthim më të madh investimi.
Mjeti i ri përdor motorin dhe kutinë e shpejtësive të Citroën C3 Rally2, por shasia është plotësisht e re dhe e përmirësuar për asfalt dhe zhavorr. Lancia synon të jetë menjëherë konkurruese dhe të luftojë për titullin WRC2 që në sezonin e parë.

Pilotët ende nuk janë zbuluar për arsye kontraktuale, por pritet të njoftohen para Krishtlindjeve. Ndërkohë, interesim për blerjen e makinës kanë shprehur rreth 120 ekipe, duke treguar pritshmëri të larta për rikthimin historik të markës italiane.



