Legjenda e futbollit të Rumanisë , ish-sulmuesi i shumë skuadrave evropiane, Adrian Mutu është i bindur se Albion Rrahmani është qendërsulmuesi më i mirë në Superligën rumune dhe këshillon klubin e Rapid Bukureshtit të përpiqen të mos e shesin atë.
Rrahmani ka impresionuar te Rapid që në këtë sezon të parë dhe ka shënuar 16 herë në 20 ndeshje.
Në media është raportuar se Benfica e Lisbonës dëshiron ta transferojë atë dhe se po përgatit një ofertë prej tetë milionë eurosh.
Ditët e fundit gazetarët gjermanë kanë folur edhe për interesimin e Werder Bremenit, skuadër që zë vendin e 11-të në Bundesligë.
Mutu është shprehur i kënaqur me Albion Rrahmanin dhe për të thotë se është “numri 9” më i mirë në kampionatin rumun.
“Mendoj se ai është një sulmues shumë i mirë. Mendoj se është ‘numri 9’ më i mirë në kampionatin tonë. Mendoj se këtu më pak varet nga Rrahmani, por nga planet e ardhshme që Rapid ka bërë për të ardhmen”, u shpreh Mutu.

“Ju gjetët një sulmues si Dugandzic sezonin e kaluar, e keni Rrahmanin dhe mendoj se do të ishte mirë ta mbani atë. Edhe nëse Rapidi po kalon një kohë të vështirë dhe shumë njerëz prisnin që ekipi të ishte kampion ose të luftonte për titullin deri në fazën e fundit”, tha Adrian Mutu.
Rrahmani u transferua në Rumani në verën e kaluar për 600 mijë euro nga Ballkani.



