Edhe pse Lewis Hamilton ka shitur të gjithë koleksionin e tij të makinave, pasioni për koleksionet nuk i është zhdukur. Piloti i Ferrarit ka zbuluar se është rikthyer te një hobi i fëmijërisë: kartat koleksionuese.
Në një intervistë për Vogue France, shtatë herë kampioni i botës tregoi se po koleksionon karta Pokemon, Star Wars dhe karta sportive, një zakon që e kishte edhe kur ishte fëmijë. “Kam një koleksion që po rritet vazhdimisht. Blej karta çdo javë”, u shpreh Hamilton.
Vetë Hamilton shfaqet në disa karta shumë të rralla, përfshirë një nga Topps që përmban një diamant të vërtetë, si dhe një tjetër që ka një copë nga kostumi i tij i garës me Ferrarin. Në vitin 2024, një kartë e tij u shit për 1 milion dollarë.
“Është çmenduri. Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë”, tha Hamilton, duke shtuar se tregu i kartave është në rritje të vazhdueshme dhe tashmë e ka “kapur fort” këtë pasion të ri.



