Xabi Alonso pritet të mos mbetet për shumë kohë pa skuadër.
Sipas mediave britanike, trajneri spanjoll, i cili së fundmi i dha fund aventurës së tij të shkurtër te Real Madridi pas vetëm gjysmë sezoni, mund të rikthehet shpejt në Premier League, kësaj radhe në rolin e trajnerit kryesor.
Eksperienca e Alonsos te Klubi Mbretëror u shoqërua me rezultate zhgënjyese dhe sipas raportimeve edhe me mosmarrëveshje me disa lojtarë të skuadrës.
Këto rrethana e shtynë presidentin Florentino Perez të ndërpriste bashkëpunimin, ndërsa drejtimin e ekipit në mënyrë të përkohshme e mori Alvaro Arbeloa.
Megjithatë, pauza e Alonsos nga pankina duket se do të jetë e shkurtër.
Liverpooli po e shqyrton seriozisht emrin e tij si një alternativë për të zëvendësuar trajnerin aktual Arne Slot, i cili po përballet me presion në rritje për shkak të rezultateve të paqëndrueshme të skuadrës.
Alonso ka një lidhje të veçantë me klubin nga Anfield, ku ka lënë gjurmë të mëdha si lojtar, me 210 paraqitje dhe si pjesë e ekipit legjendar që fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2005. Pikërisht kjo e bën rikthimin e tij të mundshëm edhe më tërheqës për tifozët e “Reds”.
Sipas burimeve, trajneri spanjoll ka një plan të qartë për rindërtimin e skuadrës dhe kërkon liri të plotë në vendimmarrje në merkato, si dhe investime të mëdha që mund të arrijnë deri në 460 milionë euro për përforcime.
Në listën e tij të dëshirave përmenden emra si Micky van de Ven, Adam Wharton, Bradley Barcola dhe Michael Olise, lojtarë që do të sillnin cilësi dhe freski në të gjitha repartet.
Nëse këto plane realizohen, Liverpooli mund të jetë destinacioni i radhës në karrierën e Alonsos, duke i dhënë atij mundësinë të nisë një projekt ambicioz dhe të rikthejë shkëlqimin e dikurshëm në Anfield./ AutoPortali



