Liverpooli është në prag të një transferimi bombastik, vetëm pak orë para mbylljes së afatit kalimtar të verës.
Mediat britanike raportojnë se klubi nga “Anfield” është duke përgatitur një ofertë rekord prej 152 milionë euro për sulmuesin e Newcastle United, Alexander Isak.
Nëse ky transferim finalizohet, do të bëhej blerja më e shtrenjtë në historinë e Liverpoolit dhe një nga më të mëdhatë në historinë e futbollit evropian.
Sipas The Telegraph, bisedimet mes dy klubeve kanë përparuar ndjeshëm gjatë 24 orëve të fundit, me Liverpoolin që është i vendosur për ta përmbyllur marrëveshjen, pavarësisht se oferta mbetet rreth 20 milionë euro më e ulët sesa vlerësimi i Newcastle për lojtarin, që është 175 milionë euro, transmeton AutoPortali.
Isak, i cili ka impresionuar me paraqitjet e tij në Premier League dhe me kombëtaren e Suedisë, shihet si përforcimi ideal për të forcuar repartin sulmues sidomos pas largimeve dhe mungesave në vijën e parë.
Sulmuesi 24-vjeçar ka shënuar 18 gola sezonin e kaluar dhe është një nga futbollistët më të kompletuar të momentit në ligën angleze.
Paralelisht me negociatat për shitjen e Isakut, Newcastle nuk po humb kohë për të siguruar një zëvendësues të denjë.
Sipas raportimeve, ata kanë arritur marrëveshje me Stuttgartin për 23-vjeçarin Nick Woltemade, për një shumë prej 80.7 milionë euro.
Sulmuesi gjerman, i gjatë 1.88 metra, ka rënë dakord me kushtet personale dhe tashmë ka mbërritur në Newcastle të enjten për të kryer testet mjekësore, para se të zyrtarizohet si përforcimi më i ri i klubit.
Me orët e fundit të merkatos që po afrohen, shumë pritet të ndodhë në pak kohë, transferimi i mundshëm i Alexander Isak te Liverpooli do të trondiste jo vetëm Premier League-n, por të gjithë skenën e futbollit evropian dhe do të dërgonte një sinjal të qartë për ambiciet e Liverpoolit në sezonin 2025/26. /AutoPortali



