Lopez konflikt me Gavin? Spanjolli thyen heshtjen
L

Lopez konflikt me Gavin? Spanjolli thyen heshtjen

 

Mesfushori i Barcelonës, Fermin Lopez, ka reaguar për herë të parë pas lajmeve që qarkulluan së fundmi për një përçarje të mundshme mes tij dhe shokut të skuadrës, Gavi.

Në një intervistë për “Mundo Deportivo”, talenti katalanas i hodhi poshtë këto spekulime, duke theksuar se marrëdhënia e tij me Gavin është shumë më e fortë se çdo zë që mund të përhapet në rrjete sociale, transmeton AutoPortali.

Duke folur nga grumbullimi i kombëtares spanjolle në Ciudad del Futbol, Fermin sqaroi se miqësia e tyre ka nisur shumë herët dhe është ndërtuar mbi një lidhje të thellë që daton që nga fëmijëria.

“Gavi ka qenë shoku im që kur isha 12 vjeç. E njoh që nga koha ime te Betis, por që kur u bashkova me La Masian, ai ka qenë shoku im, si vëllai im”, tha ai, duke treguar për rrënjët e kësaj lidhjeje.

Të dy futbollistët, të lindur në vitet 2003 dhe 2004, kaluan nga akademia e Real Betisit drejt La Masias, ku përveç formimit profesional ndërtuan edhe një miqësi të pathyeshme.

Sipas Fermin, kjo marrëdhënie ka kaluar shumë prova dhe ka mbijetuar ndaj sfidave që sjell futbolli i nivelit të lartë.

“Kemi ndarë shumë gjëra së bashku. Njerëzit gjithmonë do të spekulojnë; kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Por për mua, Gavi mbetet miku im dhe kjo nuk vihet në dyshim”, theksoi ai, duke e mbyllur çdo dilemë mbi raportet e tyre personale.

Spekulimet për një krisje mes dyshes nisën kohët e fundit në rrjetet sociale, duke marrë vëmendje të madhe për shkak të statusit që të dy gëzojnë si pjesë kyçe e mesfushës së Barcelonës nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick.

Megjithatë, deklaratat e Fermin Lopezit synojnë të qetësojnë situatën dhe të tregojnë se lidhjet e krijuara në futboll shpesh janë më të forta se thashethemet apo presioni i jashtëm. /AutoPortali

TË FUNDIT