E ardhmja afatgjatë e Manchester United nën pronësinë e familjes Glazer ka hyrë në një fazë të re pas aktivizimit të një klauzole të rëndësishme, që mund të ndikojë ndjeshëm në strukturën aksionare të klubit.
Familja Glazer zotëron shumicën e aksioneve të klubit që nga viti 2005, kur Malcolm Glazer bleu 98% të aksioneve përmes një blerjeje të financuar me borxhe.
Pas vdekjes së tij në vitin 2014, drejtimin e klubit e morën bijtë e tij, Joel dhe Avram Glazer, transmeton AutoPortali.
Në dhjetor të vitit 2023, Sir Jim Ratcliffe, nëpërmjet kompanisë së tij INEOS, bleu 25% të aksioneve të klubit, në një marrëveshje që përfshinte disa klauzola të veçanta që lidhen me të ardhmen e klubit dhe të drejtën e aksionerëve.
Sipas raportimeve të Daily Mail, që nga 13 gushti 2025, është bërë aktive një klauzolë “tërheqëse” që mund ta detyrojë Ratcliffe të shesë aksionet e tij nëse Glazerët vendosin të shesin klubin dhe i ofrojnë atij 26 funte për aksion. Kjo klauzolë synon të pengojë çdo mundësi që Ratcliffe të bllokojë një shitje të mundshme nga aksionarët kryesorë.
Një klauzolë tjetër, e zbuluar më herët nga The Telegraph, i jep Ratcliffe të drejtën e refuzimit të parë për çdo ofertë të ardhshme brenda 12 muajve të parë nga marrëveshja, por ajo periudhë tashmë ka përfunduar.
Pavarësisht aktivizimit të klauzolës, duket se nuk ka interes konkret nga blerës të rinj. Konsorciumi i Katarit, i udhëhequr nga Sheikh Jassim, sipas Daily Mail, nuk ka më interes për të rihapur negociatat, pas dështimit të përpjekjes së mëparshme për blerjen e klubit.
Ndërkohë, The Athletic raporton se Sir Jim Ratcliffe nuk e ka ndërmend të largohet nga klubi, pavarësisht klauzolës së aktivizuar.
Ai ka investuar personalisht 300 milionë dollarë, përfshirë 50 milionë funte për rinovimin e qendrës stërvitore në Carrington, duke qenë një nga investimet e para të rëndësishme në infrastrukturën e klubit në vite.
“Ka kaluar shumë kohë që kur dikush ka futur para në Manchester United, në vend që t’i tërheqë ato. Nëse jeni Glazers, çfarë nuk është për t’u pëlqyer?”, u shpreh një burim i brendshëm për The Athletic.
Me aktivizimin e klauzolës, tensionet rreth të ardhmes së Manchester United mund të rriten, ndërsa vëmendja tashmë është e përqendruar tek çdo lëvizje e mundshme nga Glazerët dhe Sir Jim Ratcliffe. /AutoPortali



