Marc Marquez ka konfirmuar se zhvilloi një bisedë joformale me përfaqësues të Hondës përpara se të nënshkruante kontratën e re dyvjeçare me Ducati-n, por theksoi se nuk pati asnjë ofertë zyrtare apo negociata konkrete.
“Dëshiroja të dëgjoja fillimisht Ducatin. Nëse do të isha i kënaqur aty, nuk kishte arsye të bisedoja me prodhues të tjerë. U ulëm me Ducatin dhe arritëm marrëveshjen menjëherë”, tha kampioni në fuqi i MotoGP.
Marquez pranoi se rikthimi te Honda do të kishte qenë një vendim emocional, pasi me skuadrën japoneze fitoi gjashtë nga shtatë titujt e tij në MotoGP. Megjithatë, ai theksoi se vendosi të vepronte me logjikë, ashtu si kur u largua nga Honda në fund të vitit 2023 për t’iu bashkuar Ducati-t.

Spanjolli beson se edhe pas ndryshimeve të mëdha teknike që do të hyjnë në fuqi në vitin 2027, Ducati dhe Aprilia do të mbeten skuadrat që do të udhëheqin kampionatin.



