Boksieri shqiptar Florian Marku pësoi ditën e diel humbjen e parë në karrierën e tij në ring. Ai u mund me vendim unanim të gjyqtarëve nga boksieri britanik Chris Kongo, në një duel të fortë me 10 raunde zhvilluar në “O2 Arena” të Londrës.
Pas një heshtje 24-orëshe, boksieri nga Lushnja ka dhënë një deklaratë në rrjetet sociale.
“Faleminderit Zotit për gjithçka, si në fitore por edhe në humbje. Kam shumë vite pa e përjetuar diçka të tillë në karrierën time”, shprehet Marku.

“E kisha harruar këtë ndjesi, por të dielën nuk ishte nata ime. Kështu ishte e shkruajtur. Justifikimet nuk më pëlqejnë”, shprehet Florian Marku, që në karrierën e tij si boksier numëron 13 fitore, 1 humbje dhe 1 barazim.
Në fund, boksieri kuqezi bën premtimin e madh: “Dua t’ju falënderoj nga zemra të gjithë ata që ishin në stadium dhe të gjithë ju që më keni ndjekur nga ekrani. Do të rikthehem më i fortë se kurrë”.



