Në xhiron e parë, në kthesën e parë të garës për Hungarian Grand Prix në pistën Balaton Park Circuit, piloti i Aprilias, Jorge Martin, nxori nga pista veten dhe edhe katër pilotë të tjerë.
Për shkak të gabimit të Martinit, gara përfundoi për Marco Bezzecchi, Raul Fernandez dhe Fermin Aldeguer. Ndërkohë, Fabio Di Giannantonio arriti të kthehej në pistë dhe ta përfundonte garën.
Për gabimin e tij, Martin u dënua me dy xhiro të gjata (long lap penalty) në garën e ardhshme, ndërsa më pas publikoi edhe një kërkimfalje.
“Dua t’u kërkoj falje të gjithë kolegëve pilotë që u përfshinë në incidentin e xhiros së parë. Humba kontrollin mbi motorin dhe kjo shkaktoi rrëzimin e disa pilotëve. Fatkeqësisht, nuk munda ta shmangja. Gjëja më e rëndësishme është se, falë Zotit, të gjithë jemi mirë. Në situata të tilla, kjo është e vetmja gjë që ka vërtet rëndësi”, ka thënë Martin.
“Më vjen keq për ndikimin që ky incident mund të ketë pasur te ata, te skuadrat e tyre dhe te karrierat e tyre. Askush nuk dëshiron kurrë të përfshihet në një incident të tillë.Faleminderit të gjithëve për mesazhet e mbështetjes, si edhe për mirëkuptimin dhe respektin që më keni treguar”, shkroi Martin në rrjetet sociale.

Pas incidentit, si Bezzecchi ashtu edhe Martin iu nënshtruan kontrolleve mjekësore. U konfirmua se asnjëri nuk kishte pësuar thyerje, megjithëse të dy kishin marrë goditje dhe mavijosje.



