Honda do të sjellë në Çmimin e Madh të Holandës përditësimin e parë të njësisë së saj të fuqisë për sezonin 2026, ndërsa Aston Martin shpreson të përfitojë nga përmirësimet e reja.
Përditësimi i Honda-s është i fokusuar tërësisht te motori me djegie të brendshme, që sipas kryeinxhinierit Shintaro Orihara mbetet pika më e dobët në krahasim me rivalët.
“Performanca e motorit tonë është padyshim e dobët krahasuar me prodhuesit e tjerë. Prandaj, pika më e rëndësishme tani është përmirësimi i motorit”, shpjegoi Orihara.
Honda synon të ngushtojë ndjeshëm diferencën në fuqi dhe të rikthehet në “fushën e garimit”, ku edhe diferenca prej 10 apo 20 milisekondash mund të bëjë ndryshimin.
Megjithatë, përditësimi sjell edhe një sfidë tjetër: drejtueshmërinë. Ndryshimet në karakteristikat e djegies do të ndikojnë në sjelljen e motorit, veçanërisht në kthesa.
“Do të duhet ta zhvillojmë sërish drejtueshmërinë”, pranoi Orihara, duke shtuar se përvoja e fituar gjatë gjysmës së parë të sezonit do ta ndihmojë Honda-n të përshtatet me motorin e ri.

Dita e testimeve të Aston Martin në Hungaroring me njësinë e re të fuqisë ishte gjithashtu e rëndësishme, pasi i dha ekipit dhe Honda-s të dhëna fillestare përpara debutimit të përditësimit në Zandvoort.
Honda e di se një përmirësim i vetëm nuk do të mjaftojë për të mbyllur të gjithë diferencën, ndaj priten edhe zhvillime të tjera më vonë gjatë sezonit.



