Galatasaray ka ngritur temperaturat në opinionin sportiv pas një deklarate surprizë që lidhet me Lionel Messin.
Lajmi u bë publik në transmetim të drejtpërdrejtë pas ndeshjes ku skuadra nga Stambolli triumfoi bindshëm 4-0 ndaj Kayserisporit, kur komentatori i njohur turk Levent Tüzemen hodhi një “bombë” mediatike për një takim të mundshëm mes klubit dhe superyllit argjentinas.
Sipas Tüzemen, Messi i ka dhënë “dritën jeshile” Galatasarayt për një projekt të veçantë, i cili parashikon një angazhim 4-mujor dhe 12 ndeshje.
Megjithatë, kjo ide vjen me një kusht të qartë: Messi do të luante vetëm në Stamboll dhe nuk do të udhëtonte për ndeshjet jashtë qytetit.
Komentatori turk shtoi se ky informacion është konfirmuar edhe nga drejtuesit e klubit, duke theksuar se Messi po e shqyrton seriozisht këtë mundësi, me synimin për t’u përgatitur sa më mirë për Kupën e Botës 2026. Në të njëjtën kohë, sipas kësaj deklarate, ylli argjentinas ka refuzuar edhe ofertën e klubit saudit Al Hilal.
Në rast se ky transferim do të konkretizohej, burime pranë klubit pretendojnë se rreth 1 milion tifozë do të mblidheshin në aeroport për të pritur ardhjen e Messit.
Një projekt i tillë do të konsiderohej i jashtëzakonshëm dhe do të shënonte një moment historik për futbollin turk dhe për vetë Galatasarayn. /AutoPortali



