Menaxheri i Leclerc frikëson Ferrarin
M

Menaxheri i Leclerc frikëson Ferrarin

Të fitojë një titull me Ferrarin është ëndrra e deklaruar e Charles Leclerc. Piloti nga Monako e ka përsëritur shpesh këtë që prej vitit 2019, kur iu bashkua skuadrës nga Maranelo. Megjithatë, deri tani rastet për të synuar seriozisht titullin kampion kanë qenë të pakta.

Një tjetër përpjekje pritet të vijë sezonin e ardhshëm, kur rregulloret e reja ndoshta do të ndryshojnë hierarkitë në Botërorin e Formulas 1. Por, nëse Ferrari nuk do të jetë konkurruese, atëherë pozita e Leclerc mund të ndryshojë në prag të sezonit 2027, një mesazh që e ka përcjellë qartë edhe menaxheri i tij, Nicolas Tod.

Gjatë Çmimit të Madh të Singaporit, të zhvilluar fundjavën e kaluar, menaxheri francez foli për situatën e Leclerc. Në një intervistë për të përditshmen “Straits Times”, ai tha: “Charles është një nga talentet më të mëdha të brezit të tij, krahas Max Verstappenit dhe disa pilotëve të tjerë. Por ai nuk është më i ri, pasi garon për Ferrarin prej shumë sezonesh. Na duhet një makinë fituese”.

Pra, Leclerc, i cili më 16 tetor mbush 28 vjeç, nuk është më i gatshëm të presë pafundësisht. Këtë e nënvizon edhe një tjetër deklaratë nga Tod: “Sot Ferrari ka një makinë të mirë, por jo aq sa për të fituar kampionatin. Shpresojmë që kjo të ndryshojë së shpejti. Urojmë që sezonin e ardhshëm, me rregullat e reja, Ferrari të ketë një makinë vërtet konkurruese”.

Fjalët e menaxherit francez vijnë pas disa daljeve publike ku Leclerc është dukur nervoz dhe i frustruar. Ato gjithashtu japin një pasqyrë të qartë të merkatos së pilotëve, që pritet të ndizet sezonin e ardhshëm. Viti 2026 do të sjellë një situatë të re për të gjithë, por sapo skuadrat të përshtaten me Formulën 1 të re, priten ndryshime të mëdha. Tod shton: “Shumë pilotë do të duan të shohin sa konkurruese do të jenë skuadrat përpara se të vendosin nëse do të qëndrojnë apo do të ndërrojnë ekip. Pres një merkato shumë të nxehtë”.

Pra, të gjitha skuadrat janë të paralajmëruara: një sezon zhgënjyes në 2026-ën mund të ketë pasoja serioze për formacionet e tyre në vitin 2027.

TË FUNDIT