Heroi i mbrëmjes në stadiumin “Fadil Vokrri”, sulmuesi kosovar Vedat Muriqi, ka reaguar sot në rrjetet sociale pas fitores së madhe të Kombëtares së Kosovës ndaj Suedisë me rezultat 2:0, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Muriqi, i cili realizoi golin e dytë në ndeshje dhe vulosi fitoren e parë të ekipit nën drejtimin e trajnerit Franco Foda, shprehu entuziazmin dhe krenarinë e tij për paraqitjen e ekipit dhe atmosferën në Prishtinë.
“Mentalitet, karakter, shpirt luftarak – kjo është ajo që jemi ne”, shkroi Muriqi në postimin e tij në rrjete sociale, i cili u shoqërua me fotografi nga ndeshja dhe momente festimi me bashkëlojtarët.
View this post on Instagram
Sulmuesi i Mallorcës ishte një nga figurat kyçe në suksesin ndaj suedezëve, duke dhënë jo vetëm një paraqitje të fortë fizike në sulm, por edhe shembull në udhëheqje dhe përkushtim në fushë.
Pas një fillimi të vështirë në këtë cikël kualifikues, fitorja ndaj një kundërshtari si Suedia ka ringjallur shpresat për një rikthim të fortë të Kosovës në garë, dhe Muriqi po shihet sërish si lideri i padiskutueshëm i “Dardanëve”.
Reagimi i tij ka marrë mijëra pëlqime dhe komente brenda orëve të para, ndërsa tifozët e kanë përshëndetur për angazhimin dhe frymën pozitive që ka sjellë në ekipin kombëtar.



