Mercedes-Benz G-Class ka mbetur një prej simboleve më të njohura të automobilizmit modern. Një ikonë që ka qëndruar stoike përballë trendeve të ndryshme, duke ruajtur ADN-në e saj unike për dekada. Me ridizajnimin e vitit 2019, G-Class rifitoi frymëmarrje të re pa prekur identitetin e saj të pandryshueshëm. Edhe në vitin 2025, ndërsa teknologjia elektrike dhe hibridet marrin përparësi, modeli AMG G63 qëndron në majë si një përfaqësues i vërtetë i fuqisë klasike, duke mbajtur motorin e njohur V8 me performancë të plotë.
Këtë vit, ndryshime të rëndësishme kanë ndodhur në gamën G-Class. G550 tani vjen me motor të ri me gjashtë cilindra të asistuar nga një sistem hibrid 48 volt, dhe për herë të parë, është prezantuar edhe një variant krejtësisht elektrik – G580. Por në mesin e kësaj epoke elektrike, AMG G63 mbetet bastioni i fundit i fuqisë tradicionale, shkruan Car and Driver, transmeton AutoPortali.
Përvoja me G63 fillon që nga momenti kur prek dorezën e derës – një pjesë klasike e trashëguar nga modelet e mëhershme. Ajo hapet me një klikim mekanik nostalgjik që e bën çdo hyrje të ndjehet si një ritual i rëndësishëm. Megjithëse hyrja është sfiduese për shkak të pragut të lartë dhe dërrasave të ngushta anësore, çdo përpjekje shpërblehet menjëherë pasi ulesh në kabinën e saj.
Pasi hyn brenda, G63 të ofron një ndjesi komandimi të rrallë – si të ishe kapiteni i një anijeje luksoze. Xhami i përparmë i drejtë, kapaku i motorrit i ulët dhe sinjalet karakteristike e bëjnë pozicionimin në rrugë të natyrshëm dhe të sigurt. Një funksion i ri kamerash e shton edhe më shumë sigurinë për udhëtimet jashtë rruge, duke dhënë pamje të drejtpërdrejtë nga toka përpara.
Mercedes-AMG G63 i vitit 2025 është dëshmi e asaj që ndodh kur tradita takohet me teknologjinë moderne – një SUV që, edhe pse rrethohet nga ndryshimi, refuzon të humbasë shpirtin që e bëri legjendar.



