Formula 1 vazhdon të trazohet nga spekulimet për të ardhmen e Max Verstappenit, por drejtori ekzekutiv i McLaren, Zak Brown, ka mohuar kategorikisht mundësinë që kampioni i botës t’i bashkohet ekipit britanik.
Edhe pse para Çmimit të Madh të Austrisë u përfol se menaxherët e Verstappenit kishin zhvilluar bisedime për një shkëmbim të mundshëm me Oscar Piastrin, Brown e bëri të qartë se McLaren nuk është në kërkim të pilotëve të rinj.
“Vetëm nëse, për ndonjë arsye krejtësisht të çuditshme, njëri prej pilotëve tanë rrëshqet mbi një lëvore bananeje teksa del nga vaska, atëherë po, Max, si katër herë kampion bote, do të ishte një opsion. Por ne kemi dy pilotë të shkëlqyer, Lando Norris dhe Oscar Piastri, dhe ata do të jenë me ne edhe për shumë vite,” tha Brown për Sky Sports F1.
Ai shtoi se ndihet i nderuar që emri i McLaren lidhet me Verstappenin, por theksoi se skuadra nuk ka asnjë plan të ndryshojë formacionin aktual.

“Jemi një ekip shumë konkurrues dhe kemi dy pilotë të jashtëzakonshëm. Nuk kemi asnjë arsye për të ndryshuar një dyshe fituese. Është normale të ndjekim zhvillimet në tregun e pilotëve, por ne nuk jemi në kërkim të askujt”, përfundoi Brown.



