Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo dominuan futbollin për më shumë se dy dekada, por tani duhet t’i hapin rrugën një gjenerate të re, që gjithsesi do ta ketë shumë të vështirë të arrijë sukseset e tyre.
Si “Pleshti” ashtu edhe “CR7”pranuan të bëjnë kompromis, duke u larguar nga futbolli i rëndësishëm, siç është ai evropian, me argjentinasin që zgjodhi Amerikën, ndërsa “luzitani”, Arabinë Saudite, por kurba në zbritje e karrierës së tyre konfirmohet edhe nga “Transfermarkt”.
Sipas specialistëve, Lionel Messi ka kapur pikën më të ulët sa i përket vlerës së tij në treg që nga viti 2006. Tani që luan tek Inter Miami, kartoni i kampionit të botës vlerësohet 30 milionë euro.
Akoma më “pikiatë” është zbritja e rivalit të tij të përjetshëm.
Pavarësisht se kontrata me Al-Nassr është nga më të pasurat në botë, kartoni i Cristiano Ronaldo vlerësohet vetëm 15 milionë euro.
Tashmë vendin e tyre në listën e futbollistëve më të vlerësuar e kanë marrë yjet e rinj.

Sipas “Transfermarkt” lista kryesohet nga Jude Bellingham, Erling Haaland dhe Kylian Mbappe.
Të tre kanë një vlerë të njëjtë, 180 milionë euro, por për shkak të moshës, vendin e parë e mban ylli anglez i Real Madridit, i ndjekur nga ai i Manchester Cityt dhe më pas ish-futbollisti i Paris Saint-Germainit, ndërsa “top 5” plotësohet nga Vinicius Junior, po i Real Madrid dhe Bukayo Saka i Arsenal.



