Miller dënohet për një arsye të çuditshme
M

Miller dënohet për një arsye të çuditshme

Piloti australian Jack Miller u dënua me 2.000 euro pas garës në San Marino, jo për ndonjë shkelje gjatë garës, por sepse i dhuroi dorëzat një tifozi dhe për ta bërë këtë, u kthye në drejtim të kundërt në pistë.

Gjatë xhiros së formimit, Miller kishte parë një tifoz me një pankartë që shkruante: “Na jep dorëzat, të japim një birrë”. Pas garës, ai ndaloi përpara tribunës së tifozëve për t’i dhënë dorëzat, por për ta bërë këtë, u desh të bënte një kthesë të shkurtër në pistë në drejtim të kundërt, gjë që është e ndaluar nga rregullorja (neni 1.21.11).

“U ktheva, pashë që nuk po vinte askush, bëra një U-turn dhe i dhashë dorëzat. Por… nuk mora birrën”, tha Miller me ironi.

“Dhe për më tepër, mora një gjobë prej 2.000 eurosh. Ditë e bukur, apo jo?”

Miller kritikoi vendimin, duke thënë se Dorna (organizatori) përdori videon për të promovuar momentin në rrjetet sociale, ndërsa ai u gjobit për të njëjtën gjë.

Megjithatë, ai u shpreh krenar për gjestin, duke theksuar se tregon kulturën ndryshe që ka MotoGP me tifozët, krahasuar me sportet e tjera.

“Ndryshe nga videot virale ku njerëzit u marrin fëmijëve kapele apo topa bejsbolli, këtu një tjetër tifoz ndihmoi për t’i kthyer dorëzat djalit që i kërkoi. Ishte një moment i bukur që tregon se sa ndryshe janë tifozët tanë”.

TË FUNDIT