Mourinho gati të rikthehet në Evropë
M

Mourinho gati të rikthehet në Evropë

Jose Mourinho është pranë një rikthimi sensacional në pankinën e klubit ku nisi karrierën e tij si trajner – Benfica.

Mediat portugeze raportojnë se “Special One” ka arritur një marrëveshje paraprake me klubin nga Lisbona, vetëm pak orë pas largimit të trajnerit Bruno Lage, transmeton AutoPortali.

Largimi i Lage erdhi pas humbjes tronditëse ndaj Qarabag (2-3) në raundin e parë të Ligës së Kampionëve.

Pas një marrëveshjeje me presidentin Rui Costa, trajneri u largua zyrtarisht, duke i dhënë fund mandatit të tij të dytë në klub.

Mourinho, i cili u shkarkua nga Fenerbahçe pikërisht pas eliminimit nga Benfica në të njëjtën garë, është aktualisht i lirë. Ai e nisi karrierën si trajner kryesor pikërisht te Benfica në vitin 2000, ku drejtoi vetëm 10 ndeshje, por la mbresa me fitoren 3-0 ndaj Sportingut, në sfidën e fundit të asaj periudhe.

Pas asaj aventure të shkurtër, Mourinho ndërtoi një karrierë brilante duke fituar trofe me klube si Porto, Chelsea, Inter dhe Real Madrid. Në vitet e fundit ka drejtuar Tottenhamin, Romën (me të cilën fitoi Ligën e Konferencës) dhe së fundmi Fenerbahçen.

Për presidentin Rui Costa, rikthimi i Mourinhos mund të jetë edhe një lëvizje strategjike për të forcuar pozitat e tij në klub, mes presionit në rritje dhe spekulimeve për rikandidimin e Joao Noronha Lopes për presidencën e Benficës.

TË FUNDIT