Ernest Muçi po përshtatet mjaft mirë në Turqi, në sezonin e parë me Besiktas. Sulmuesi kuqezi ka dhënë një intervistë për Totem Tv, ku dha mendimin e tij edhe për Kampionatin Evropian.
“Unë mund të luaj në çdo pozicion në sulm por do të doja të isha më në qendër, të jem më afër mesfushorëve apo të tjerëve, të jap asistime e të jem afër portës dhe të ndihmoj ekipin të shënoj. Është e rëndësishme të lëvizësh shumë, mua më pëlqen të ndryshoj pozicione. Këtu më japin liri dhe falënderoj trajnerët që më besojnë”, ka thënë Muçi.
“Ishte e thjeshtë për mua të përshtatesha këtu, sepse vendi im është pak a shumë e njëjta kulturë e ushqime. Edhe fjalët i kemi disa turqisht. Për mua ishte shumë e lehtë, edhe për familjen time ishte një përshtatje e thjeshtë. Mënyra se si sillen njerëzit, ushqimi, koha është e mirë. Edhe djemtë janë miqësorë dhe më bëjnë të ndjehem si në shtëpi që nga dita e parë. Ishte e lehtë të përshtatesha”, ka shtuar sulmuesi shqiptar.

“Evropiani? Ishte një arritje e madhe për vendin tonë të shkonim në Evropian. Grupi është i vështirë, por kur je në këto gara është më mirë të luash ndeshje të mëdha. Ndaj për mua është entuziazmuese, po e pres me padurim të jem pjesë e këtyre ndeshjeve. Tani është e rëndësishme të jemi sa më të shëndetshëm, të mbyllim gjithçka mirë këtu në klub dhe pastaj të fitojmë Kupën. Pastaj të fokusohemi te ekipi kombëtar pasi është një event i rëndësishëm për ne si vend”, ka përfunduar Muçi.



