Mustafi pjesë e Kombëtares së Gjermanisë në ndeshjen ndaj Shqipërisë si ndihmës trajner
M

Mustafi pjesë e Kombëtares së Gjermanisë në ndeshjen ndaj Shqipërisë si ndihmës trajner

Përzgjedhësi i Gjermanisë U21, Antonio Di Salvo, ka folur me vlerësim të madh për Shkodran Mustafin, i cili tashmë është pjesë e stafit të tij si ndihmëstrajner.

Sipas Di Salvos, eksperienca e Mustafit si lojtar i nivelit më të lartë, fitues i Kupës së Botës me Gjermaninë në vitin 2014, është një pasuri e çmuar për gjeneratën e re të futbollistëve.

“Është e rëndësishme që pranë lojtarëve të rinj të kemi dikë që e njeh nga afër presionin dhe sfidat e mbrojtjes në nivelet më të larta. Shkodrani ka kaluar nëpër të gjitha këto dhe mund të japë këshilla që unë si trajner ndoshta nuk i shoh menjëherë. Për mendimet dhe sugjerimet e tij do të mbështetem shpesh,” ka theksuar Di Salvo.

Për Mustafin, ky rol është një kapitull i ri pas një karriere të pasur në klube të njohura europiane dhe me përfaqësuesen gjermane.

Debutimi i tij si ndihmëstrajner do të ndodhë pikërisht në përballjen e radhës: Shqipëria U21 – Gjermania U21, që zhvillohet të premten në stadiumin e Elbasanit.

Një sfidë që për të ka edhe ngjyrim të veçantë emocional, pasi përballë do të ketë kombëtaren e vendit të origjinës së tij.

Kombëtarja U21 e Gjermanisë, e cila njihet për zhvillimin e talenteve të ardhshëm, synon që përmes stafit të përforcuar dhe përvojës së Mustafit të krijojë një grup edhe më të fortë e të gatshëm për të konkurruar në skenën ndërkombëtare.

TË FUNDIT