Nënshkruhet marrëveshja për asfaltimin e rrugëve në Rahovec
N

Nënshkruhet marrëveshja për asfaltimin e rrugëve në Rahovec

Komuna e Rahovecit dhe kompania Lika Company kanë nënshkruar sot marrëveshjen për realizimin e projektit të asfaltimit dhe përmirësimit të infrastrukturës rrugore në këtë komunë. Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë të ditur se projekti përfshin riasfaltimin dhe zgjerimin e rrugëve në dy segmente kryesore me gjatësi totale prej 22 kilometrash.

“Segmenti i parë përfshin rrugën Rahovec – Drenoc – Senoc – Pastasel – Polluzhë – Sarosh, ndërsa segmenti i dytë shtrihet nga Drenoci në drejtim të Pataqanit të Epërm e të Poshtëm deri në Fortesë, përfshirë edhe ndërtimin e rrethrrotullimit mes Sapniqit dhe Fortesës,” tha kryetari Latifi.

Përveç riasfaltimit dhe zgjerimit, projekti parashikon vendosjen e sinjalizimit horizontal dhe vertikal, si dhe ndërtimin e mureve mbrojtëse sipas standardeve moderne për sigurinë e përdoruesve të rrugës.

Vlera totale e projektit arrin në 3.863.123.57 euro, dhe financimi po realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, të cilën Latifi e falënderoi për mbështetjen e dhënë.

Ky investim pritet të përmirësojë ndjeshëm lidhjet rrugore në komunën e Rahovecit dhe të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe cilësinë e jetës së banorëve të kësaj zone.

TË FUNDIT