Nesër përcaktohen finalistët e Kupës
N

Nesër përcaktohen finalistët e Kupës

Me dy ndeshjet e kthimit gjysmëfinale, të cilat zhvillohen nesër (e mërkurë), do të përcaktohen dy skuadrat finaliste të Kupës së Kosovës në futboll për edicionin e sivjetmë.

Vëmendja kryesore do të jetë në derbin mes Dritës e Prishtinës, ku të dy ekipet hyjnë në këtë sfidë të barabarta.

Takimi i parë i cili u zhvillua në Lipjan përfundoi pa fitues dhe pa gola. Dy skuadrat synim e kanë fitimin e trofeut, i cili ua mundëson daljen në Evropë.

Drita po lufton edhe për titullin kampion dhe gjendet në pozitën e dytë në tabelë me dy pikë më pak se kryesuesit.

Ndërsa, Prishtina është në mesin e tabelës dhe larg një vendi për Evropë dhe për ta Kupa është opsioni i vetëm.

Përballja tjetër gjysmëfinale që luhet po të mërkurën është derbi lokal mes Ballkanit e Suharekës.

Ballkani hyn në këtë ndeshje me epërsinë 1:0 nga sfida e parë, e luajtur para tri javësh.

Të dy ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen të mërkurën nga ora 15:00.

TË FUNDIT