Neuer pas fitores ndaj Chelseat: Kemi mundur fituesin e Kupës së Botës për Klube
N

Neuer pas fitores ndaj Chelseat: Kemi mundur fituesin e Kupës së Botës për Klube

Bayern Munich e ka nisur me këmbë të mbarë sezonin e ri të Champions League, duke siguruar një fitore të rëndësishme 3–1 ndaj Chelseas në “Allianz Arena”. Një performancë dominuese e skuadrës bavareze, që shënon një hap të parë premtues në rrugëtimin evropian.

Nën drejtimin e trajnerit të ri Vincent Kompany, Bayern zhvilloi një lojë të shpejtë, të organizuar dhe me intensitet të lartë, duke kontrolluar qarkullimin e topit dhe duke u shfaqur shumë efikas përpara portës.

Chelsea, kampione aktuale e Kupës së Botës për Klube, nuk arriti të përballojë presionin e vazhdueshëm të vendasve dhe u dorëzua përballë një skuadre të motivuar dhe të qartë në objektivat e saj për këtë sezon të Champions League.

Kapiteni Manuel Neuer u shpreh entuziast pas ndeshjes, duke theksuar rëndësinë e këtij suksesi:

“Ne e lëvizëm topin mirë dhe ishim thjesht më të mirët në fushë. Fitore kundër një skuadre të fortë si Chelsea na jep vetëbesim dhe është një nisje ideale për sezonin,” u shpreh portieri gjerman.

“Ishte një sfidë e vështirë, por arritëm ta kontrollojmë lojën dhe ta formësojmë sipas stilit tonë. Jemi shumë të kënaqur me këtë paraqitje,” shtoi ai.

Fitorja ndaj një kundërshtari të nivelit të lartë si Chelsea vjen si një mesazh i qartë nga Bayern: skuadra gjermane synon të jetë një nga protagonistet kryesore të këtij edicioni të Ligës së Kampionëve.

Bavarezët do të rikthehen në fushë të shtunën, më 20 shtator, në ndeshjen e radhës të kampionatit gjerman, ku do të përballen në transfertë me TSG Hoffenheim.

TË FUNDIT