Kampionati i Kosovës në automobilizëm vazhdon me agjendë të ngjeshur.
Pas dy garave atraktive në disiplinën malore, Kruja e Kulla, koha është për terren të rrafshët.
Dy ditët e kësaj fundjave, në parkingun jugor të Prishtina Mall, mbahet gara e radhës në disiplinat karting sllallom dhe sllallom me vetura elektrike.
Në të dyja disiplinat dhe në të dyja konkurrencat rivaliteti pritet të jetë i madh, me synimin që garuesit të mbledhin sa më shumë pikë, e pse jo edhe të fitojnë kampionatin.
Tashmë dihet që fituesit në disiplinat përkatëse do ta përfaqësojnë Kosovën në FIA Motorsport Games, të cilat në tetor mbahen në Valencia të Spanjës.



