Felipe Drugovich ka zbuluar së fundmi një prapaskenë interesante: një pilot aktual i Formula 1 ka qenë shumë pranë largimit nga sporti, por në fund ka vendosur të qëndrojë.
Në një intervistë për podcastin brazilian Na Ponta dos Dedos, Drugovich tha se në vitin 2023 ishte shumë afër të debutonte si pilot zyrtar me Aston Martin. Ai kishte nënshkruar një kontratë dyvjeçare si pilot rezervë dhe kishte bisedime konkrete me drejtuesit e ekipit për një mundësi për të marrë vendin e një piloti titullar në vitin 2024.
Ai zbuloi se Lance Stroll, në fund të sezonit 2023, ishte shumë pranë tërheqjes nga Formula 1, çka do të linte të lirë një vend në Aston Martin. Por babai i tij, Lawrence Stroll, që është gjithashtu aksionari kryesor i skuadrës, arriti ta bindte të vazhdonte.
“Dukej si momenti i duhur”, tha Drugovich. “Ishte shumë më afër se ç’mund të mendonte kushdo. M’u ofrua një kontratë dyvjeçare, sepse gjithçka po shkonte në atë drejtim. Por në fund, nuk ndodhi, dhe mbeta i bllokuar në atë situatë. Nuk kam çfarë të them, nuk ishte faji im, dhe ndoshta, po të isha në vendin e tyre, do kisha vepruar njësoj”.
Pas kësaj periudhe pritjeje, Felipe Drugovich është zyrtarizuar si pilot i Andretti në Formula E.



