Nora dhe Distria me rrëfim emocional për medaljet olimpike të fituara
N

Nora dhe Distria me rrëfim emocional për medaljet olimpike të fituara

Kosova është përfaqësuar me krenari në Expo Osaka 2025, përmes dy kampioneve olimpike në xhudo, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, të cilat morën pjesë në aktivitetet zyrtare të ekspozitës më 16 dhe 17 gusht në qytetin japonez të Osakës.

Në një atmosferë emocionuese, dy ikonat e sportit kosovar ndanë me publikun japonez rrëfimet e tyre frymëzuese nga fillimet në sallat e vogla të stërvitjes në Kosovë, deri te suksesi në arenën ndërkombëtare dhe medaljet e arta olimpike, AutoPortali.

Kampioneve iu bashkuan fëmijë japonezë në demonstrime interaktive të xhudos, duke sjellë momente të veçanta ndërveprimi dhe frymëzimi. Përmes kësaj nisme, sportistet transmetuan mesazhin se sporti është një urë që bashkon popuj, kultura dhe gjenerata.

Vizitorët e ekspozitës patën mundësinë të përjetojnë nga afër energjinë dhe shpirtin e xhudos kosovare përmes fotografive, bisedave miqësore dhe përvojave të paharrueshme.

Ky prezantim përfaqëson jo vetëm një moment krenarie për sportin dhe kulturën e Kosovës, por edhe një thellim të lidhjeve miqësore mes Kosovës dhe Japonisë, në një ngjarje që synon të promovojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin kulturor. /AutoPortali

TË FUNDIT